Lejedrejtimi (Modelet e Vlefshme)

You are here

Autoriteti lëshues i Lejeve të Drejtimit në Republikën e Shqipërisë është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Të gjitha shërbimet për lejedrejtimi kryhen pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) dhe konkretisht në rrethet: Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Dibër, Berat, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Laç, Fier, Shkodër, Kukës, si dhe në pikat e shërbimeve të hapura rishtazi: Lushnje, Burrel, Çorovodë, Gramsh.

Modeli i lejedrejtimit që lëshohet aktualisht në Republikën e Shqipërisë është Modeli IV.2/A nga data 24.01.2017.

I vlefshëm për drejtim mjeti është edhe Modeli IV.2/A, i lëshuar nga 01.07.2005 deri më 23.01.2017.


Modeli i lejedrejtimit IV.2/A, i lëshuar nga 24 Janari 2017 e në vazhdim

Ky model lejedrejtimi është në përputhje me dispozitat e Aneksit I të Direktivës 2006/126/EC “Mbi lejet e drejtimit”.  

Ngjyra bazë është ngjyra rozë e shoqëruar me blu të lehtë.

Përmasat: ISO /IEC 7810 formati: ID-1  85,60 mm x 53,98 mm.

Karakteristikat fizike të materialit janë sipas standartit ISO 7810 dhe ISO 7816-1: polikarbonat, me jo më pak se 4 (katër) shtresa, me jetëgjatësi jo më pak se 10 (dhjetë) vjet.

 

Në faqen e pasme të lejedrejtimit gjendet legjenda në gjuhën shqipe dhe angleze, e cila tregon qartësisht si lexohet lejedrejtimi. Në legjendë nuk janë të 12 numrat që tregojnë ku ndodhen të dhënat e lejedrejtimit, por vetëm disa prej tyre. Për informacione më të detajuara më poshtë po specifikojmë të dhënat që i korrespondojnë secilës fushë në lejedrejtimi:

1. Mbiemri
2. Emri
3. Data dhe vendi i lindjes [Si vendlindje tregohet emri i shtetit dhe shenja dalluese e tij, p.sh: SHQIPËRI (ALB)] 
4a. Data e lëshimit
4b. Data e përfundimit të vlefshmërisë
4c. Lëshuar nga
5.  Numri i lejedrejtimit

6. Fotografia
7. Firma
9. Kategoria (të)
10. Data e kualifikimit (Data e lëshimit të çdo kategorie)
11. E vlefshme deri në (Data e përfundimit të vlefshmërisë të çdo kategorie);
12. Kodet [Informacion (e) shtesë/kufizim (e)].

Të dhënat nga numri 1 në numrin 9 tregohen në faqen e përparme të lejedrejtimit (numrat 6, 7 dhe 9 nuk tregohen në legjendë; numri 8 në modelin e mëparshëm, i cili i korrespondonte vendbanimit, në modelin e ri është hequr; vendbanimi nuk shënohet më në lejedrejtimi; të dhënat nga numri 9, të cilin e gjejmë në të dy faqet e lejedrejtimit, deri tek numri 12, gjenden në faqen e pasme të lejedrejtimit.

Në kolonën 12 vertikal shënohen kodet e harmonizuara të BE-së që i përkasin çdo kategorie, ndërsa në fushën 12 horizontal tregohen kodet e harmonizuara që i përkasin mbajtësit të lejedrejtimit, mjetit dhe çështjeve administrative.


Modeli i lejedrejtimit IV.2/A, i lëshuar nga 1 Korriku 2005 deri më 23 Janar 2017. 

Ky model është i vlefshëm deri më 22 Janar 2027.

Ngjyra dominuese është ngjyra rozë.

Përmasat: lartësia 86.0 mm; gjerësia 54.0 mm.

Materiali: plastik, polikarbonat, me jo më pak se 4 (katër) shtresa, me jetëgjatësi 10 (dhjetë) vjet.