Struktura Drejtuese

You are here

Blendi Gonxhja 
Drejtor i Përgjithshëm

Blendi Gonxhja ka lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970.

Në vitin 1989, Blendi Gonxhja kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe në vitin 1993, u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (sot UAB).

Si një ndër zërat më të spikatur rinor, Blendi Gonxhja ishte ndër protagonistët kryesorë udhëheqës të Lëvizjes Studentore për Demokraci që shpejtoi fundin e regjimit më të egër komunist të Lindjes në Dhjetor 1990 dhe ndër themeluesit e partisë së parë opozitare, të erës postdiktatoriale. Në vitin 1991, udhëhoqi grevën studentore për shembjen e kulteve të diktaturës.

Përgjatë viteve të angazhimit publik, Blendi Gonxhja ka themeluar dhe drejtuar shumë organizata e shoqata rinore, jo-qeveritare dhe humanitare si: Federata e Rinisë, Këshilli Studentor, Fondacioni Zvicerian në Ndihmë të Shkollave, si dhe ka mbajtur role kryesore në Forumin për Demokraci dhe Aleancën Demokratike. Një angazhim i rëndësishëm ishte edhe roli si Koordinator Kulturor i të parit grup të Korpusit të Paqes së SHBA në Shqipëri.

Në Korrik 1996, Blendi Gonxhja dëshmoi përpara Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “Dëgjesën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Shqipëri” gjatë Kongresit Amerikan. Po atë vit, iu akordua Bursa “Fullbright” në Fakultetin e Studimeve Europiano-Lindore, Universiteti i Miçiganit (SHBA).

Në vitin 1998, Blendi Gonxhja u emërua si Shef i Kabinetit i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama, ku u angazhua për zhvillimin e politikave mbrojtëse dhe të qëndrueshme të cilat u finalizuan me njohjen e Butrintit si Park Kombëtar, krijimin e Fondacionit të Butrintit (një nga zonat më të rralla për vlerat arkeologjike dhe të ekosistemeve në rajon), zhvillimin e Projektit të Bankës Botërore për turizmin elitar, ruajtjen e Zonës së Bregdetit të Jugut, si dhe shumë projekte të tjera në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.

Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin për pasagjerë dhe automjetet në Greqi dhe Shqipëri, duke mbajtur edhe një profil publik aktiv ndër vite.

Nga Gushti 2015, Blendi Gonxhja iu bashkua ekipit të ri të Bashkisë Tiranë të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit. Nga Tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë, ku gjatë periudhës që drejtoi këtë agjenci, u ndërmorën nisma thelbësore për kryeqytetin që sollën transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial dhe rikualifikimin e objekteve publike ku vlen të veçohet Amfiteatri i Tiranës, krijimin e dhjetra shesheve të reja rekreative për fëmijët nëpërmjet projektit Luaj Tirana, nisma “Dhuro një Pemë” në kuadër të projektit të Pyllit Orbital, aktivitetet rekreative të Tirana Ime Outdoor e shumë projekte të tjera.

Nga Nëntori 2018, Blendi Gonxhja u emërua nga Kryeministri Edi Rama për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.


Këshilli Drejtues i DPSHTRR-së

Këshilli Drejtues i DPSHTRR përbëhet nga 5 anëtarë:

  • Z. Hantin Bonati              Kryetar
  • Z. Arben Dhima               Anëtar
  • Znj. Edesa Gega              Anëtare
  • Z. Enea Karakaçi             Anëtar
  • Z. Salarjon Totaj              Anëtar